Andaluzia ose Esperidet, nga Marguerite Yoursenar
MARGUERITE YOURSENAR
"KOHA, KY SKULPTOR I MADH"
ANDALUZIA OSE ESPERIDET
Spanja jugore ka qenë thirrur me emra të ndryshëm. Betika në epokën romake, Kalifati i Kordovës, Mbretëri e Granadës e më pas Andaluzi, emërtim ky i vjetër, i kohës së dyndjeve barbare, që do të thotë: tokë e Vandalëve. Ndonëse më antiku i këtyre emrave mbetet më domethënësi: Esperide, porta e diellit perëndues.
Mesdheu ka dy porta: në lindje Helespontin, në perëndim Kolonat e Herkulit. Njohja e tij s'është e plotë, veçse duke hyrë në këto dy ngushtica, në krahinat që ato mbyllin apo hapin njeh shumëçka rreth tij. Në rripin më të largët të Spanjës, ashtu si në kufijtë e Azisë së Vogël dhe të Thrakës, Evropa shfaqet dhe mbaron në të njëjtën kohë. Kjo Lindje dhe ky Perëndim përkunden që prej njëzet shekujsh në të dy anët e peshores, shënjuesi i së cilës është Roma. Ashtu si në arkipelagun helenik, edhe këtu janë bërë e shpërbërë perandoritë, falë stuhive dhe rreziqeve të zbarkimeve. Spanja ka Trafalgarin siç ka Lindja Azion apo Lepanton. Në Granada ashtu si në Kostandinopojë na shfaqet pararoja e botës së tendës dhe të shkretëtirës, që ulet mu në prehrin e kopshteve të Evropës. Kadiksi, "Hadesi i Fundit", i shërbeu botës greko-romake si portë mbi Atlantik, si Bizanti antik mbi Detin e Zi dhe mbi Azi. Edhe ajri i thatë e i lehtë i Seviljes, ritmi i saj i jetës, njëherësh kontinental e detar, të sjellin ndërmend të magjepsurën Athinë. Që prej kohëve parahistorike, Spanja përgjithësisht ka qenë e sulmuar nga ana e majtë ose nga maja, ç'ka ka qenë më me vlerë në Andaluzi ku u transportuan hambarët e anijeve kretase, greke apo punike, me trirremëshet e Romës dhe me felukët myslimane.
Muzeu i vogël provincial i Kadiksit mirëpret një sarkofag punik, binjak me sarkofagët sidonikë të Luvrit, një formë e ashpër antropoide, një krah i përthyer si në ato qëndrimet e zakonshme të të vdekurve dhe dora e të cilit shtrëngon një shegë ose një zemër. Brendësia e sarkofagut na zbulon një skelet të fuqishëm si një trung peme. Ky kartagjenas pa emër mishëron me një paraprijë prej shekujsh, një nga aventurat e mëdha të Spanjës. Arabët i pasojnë kartagjenasve, Spanja katolike e Rikonkuistës e rimerr sipas mënyrës së saj detyrën e Spanjës së Skipionëve. Sagunto dhe Numancia, besnike deri në vdekje dhe deri në flakët e turrës së druve, njëra Romës dhe tjetra Kartagjenës, paraqesin në tokën iberike dy shembuj të kundërt besnikërie.
Alahambra-s së përkëdhelur nga puhizat e Orentit islamik i kundërqëndron në Granada pallati hijerëndë i Karlit të V. Xhamia e kthyer në kishë, ku Mbretëresha Katolike deshi të varrosej me fytyrë që të shihte nga qyteti i rimarrë, shënon njërin nga çastet e një lufte punike të përjetshme.
Spanja romake vazhdoi për rreth shtatë shekuj, që përbëjnë së tepërmi periudhën më të gjatë të paqes, e që ka njohur gadishulli. Kudo mbi hartën dhe mbi territorin e Andaluzisë së sotme shfaqen qytete, rrugë, ujësjellës, porta, monumente të asaj Spanje paqësore, të mbipopulluar, të begatë, që e furnizonte Romën me lëkurë, mish të kripur, gjineshtër dhe metale të çmuara nga minierat e saj. Xhami dhe katedralet mbështeten mbi rrënojat antike, ura e Kordovës ka duruar sipër peshën e legjioneve të Galbës.
Njerëzisë së Seviljes i pëlqen të citojë frazën e Humë-s, që kujton se si dy perandorë andaluzianë, duke pasuar njëri-tjetrin në Romë i kishin siguruar asaj një nga shekujt më të rrallë e të shkëlqyer. Sevilja mban një rrugë me emrin e Trajanit dhe një tjetër me atë të Adrianit. Histironët janë përpjekur të përcaktojnë tiparet e këtij depërtimi të klanit spanjoll në Romë.
Gjithë kaluara historike e Andaluzisë - romake, arabe, kristiane - ka lënë gjurmë të papërsëritshme. Piktura seviljane (dhe mund të rreshtohen nën zë piktorët e lindur në Sevilje, si Murillo e Valdès Leal, ata, që mësuan atje si Velaskes, apo që punuan atje gjatë jetës si Zurbaràn) përmblidhet e gjitha në hapësirën e një shekulli, në atë të XVII, por frytet e saj janë në të vërtetë ata të Esperidëve.
Ka vende që vdesin të rinj. Gjithçka që pason periudhën e tyre të shkurtër të fuqisë, i përket mbijetesës ose ringjalljes. Spanja s'e ka marrë veten nga mundimi kapitës i aventurave të saj perandorake. Andaluzia në veçanti, e ka vuajtur këtë lloj vetëpastrimi të kryer për nder të idealit kastiljan.
Toka poetësh që ende dje Garsia Lorka e lagte me gjakun e tij. Toka poetësh mbi të gjitha sepse përjetësisht e dashuruar dhe e rikrijuar në largësi, në elegjitë e poetëve arabë, që vajtojnë Granadën e humbur dhe në veprën e poetëve perëndimorë të përtej alpeve e përtej detit. Que Migel Manjara të bëhet e të mbetet Don Zhuan, që kërkimi dashuror i kalorësit andaluz të puqet me kërkimin heroik dhe kastilian të don Kishotit në historinë e aspiratës njerëzore për të pamundurën, u desh Tirso de Molina, u desh mbi të gjitha Molieri, Moxarti, Bajroni.
Kjo tokë kaq e kremtuar është mrekullisht e paprekur nga ojnat letrare dhe as vetë panatyrshmëria e disa poetëve të saj nuk e prek. Kjo tokë, e cila ka ngjizur kaq shumë kryevepra nuk ndihet menjëherë si Italia, atdhe i privilegjuar i arteve, por aty pulson jeta si gjaku në një arterie.
Le të rreshtojmë endjet tona. E bukur ishte Granada, por bilbili që këndonte çdo natë me gushën e tij kafe të mbushur me tinguj, na bëri të kuptojmë nga poezia arabe aq sa mbishkrimet e Alhambra-s. Në Kadiks, mbi bregun e Oqeanit, mes shkëmbinjve të zhytur që i përkasin mbase Herkulit handesian, djaloshit me këmbë zeshkane, i zhytur deri në mes të kofshëve në ujin e kulluar e të kaltër si leckat e tij të zbardhura, i merakosur vetëm për mbarëvajtjen e peshkimit, na mallëngjente jo më pak se një statujë antike e zbuluar në fill të ujit.
Thoma JANÇE